Kishin lindur të ngjitura pas kokës, fjalët e mjekut që i shpëtoi jetën binjakeve pas 12 orësh operim

6 muaj përgatitje e më pas, 12 orë ndërhyrje kirurgjikale, për t’i shpëtuar jetën dy vajzave të mitura që kishin lindur të ngjitura mes tyre.

Ka folur për herë të parë për median kirurgu i cili kreu ndërhyrjen që i shpëtoi jetën dy foshnjave, të cilat me origjinë ishin nga Izraeli. Mjeku Noor Ul Owase Jeelani, lindur në Kashmir por banues në Londër, shkoi drejt Izraelit e studioi rastin së bashku me mjekët atje për të paktën 6 muaj.

Ndërhyrja komplekse dhe tepër e vështirë e mbajti mjekun 12 orë në sallë. Në përfundim të saj, dy motrat binjake panë për herë të parë njëra- tjetrën në sy.

Dr Jeelani, i cili është besimtar musliman, u shpreh i lumtur për bashkëpunimin me grupin e mjekëve dhe kryerjen e një ndërhyrje të suksesshme.

“Siç kam thënë të gjithë jetën time, fëmijët janë njëlloj, pavarësisht ngjyrës apo religjionit. Një fëmijë është një fëmijë dhe nga pikvështrimit i mjekut, ne jemi të gjithë një.

Kishte një moment shumë të veçantë, kur prindërit e vajzave ishin kaq të lumtur. Kurrë nuk kisha parë në jetën time prindër të cilët qeshnin, qanin, lumturoheshin e çliroheshin në të njëjtën kohë. Nëna e vajzave thjesht nuk mund ta besonte dhe na u desh ta ulnin diku vetëm për ta qetësuar”-tha doktori.