Kurti: Lajmet e rreme çuan në barrikada dhe pengim të lëvizjes së lirë në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur deklaratën që dha ndje në mbledhjen e kabinetit, se lajmet e rreme kanë ndikuar që në veri të vendit të vendosen barrikada dhe të pengohet lëvizja e lirë.

“Në mbledhjen e djeshme të kabinetit kam vënë në dukje rreziqet e lajmeve të rreme, veçanërisht në lidhje me vendimet tona për targat e makinave dhe dokumentet hyrëse-dalëse në pikat kufitare me Serbinë.

Ky dezinformim çoi në barrikada dhe shkelje të lëvizjes së lirë në veri të Kosovës”, ka shkruar kryeministri.

Gjatë ditës së djeshme, Kurti ka thënë se fushata e informimit në lidhje me këto dy vendime është duke vazhduar, teksa ka theksuar se zbatimi i reciprocitetit do të nisë nga data 1 shtator.

Kurti edhe në gjuhën serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë që të mos bien pre e fushatës së dezinformimit, por të informohen nga kanale zyrtare.

Kryeministri Kurti ka thënë vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje dalje assesi nuk do ta pengojë lirinë e lëvizjes.

Kujtojmë se situata në veri të vendit u tensionua një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Grupe të organizuara serbësh bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në veri pati të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u maltretuan në kufi.

Tensionimi i situatës bëri që Qeveria e Kosovës ta shtyjë për muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Shtyerja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së. Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.

(Visited 15 times, 1 visits today)