Mënyra si t’i ndihmoni miqtë apo familjarët tuaj të humbin peshë

Nëse një person i rëndësishëm për ju po lufton me peshën dhe perceptimin e tij për veten, ju mund të ndihmoni në mënyra që do të ndikojnë në përpjekjet e tyre për t’u ndjerë më mirë.

T’i mbani të motivuar dhe t’i ndihmoni të shohin se kilogramët e tepërt në trup nuk janë shenjë dështimi. Ja se si:

Prisni për një sinjal nga ana e tyre: Ai (ose ajo) mund të mos jetë ende gati të bëjë ndryshime në mënyrën e jetesës. Gjithashtu, mund të ketë ide të ndryshme nga ju se nga t’ia fillojë. Dëgjoni dhe përgjigjuni asaj që ka për të thënë, në vend që t’i impononi dikujt ndjenjat tuaja dhe këshillat e pakërkuara.

Vëreni theksin tek shëndeti: Ju mund të mendoni se dikush do të ndihej më mirë me veten nëse do të binte në peshë dhe do të ndërtonte më shumë muskuj, por arsyet më të rëndësishme për kontrollin e peshës janë shëndeti dhe jetëgjatësia e një personi, dhe këto janë gjithashtu motivuese të mira për arritjen dhe mbajtjen e një peshe të shëndetshme. Është e drejtë të përmendësh kontrollin e peshës në kontekstin e përgjithshëm të kujdesit shëndetësor parandalues, por është mizore të flasësh për këtë temë në mënyra që e bëjnë dikë të ndihet sikur nuk po merr përgjegjësi për veten e tij.

Inkurajoni të ushqyerit shëndetshëm: Mësojini miqtë dhe anëtarët e familjes që janë mbipeshë se si të përgatisin ushqim më të shëndetshëm ose si të mësoni dhe ju së bashku me ta. Me të rriturit, shpërndani receta dhe/ose gatuajini së bashku. Ndërkohë, jepuni fëmijëve libra shumëngjyrësh gatimi për t’i mësuar ata rreth ushqimit të shëndetshëm dhe lërini të zgjedhin disa nga recetat për vaktet familjare. Gjithmonë flisni për ushqimin në mënyra pozitive. Komente si “Gjeta këtë mënyrë të shijshme për të gatuar bizele!” ose “Uau! Kjo foto e avokados dhe domateve të copëtuara në bukën e ngrohtë më bën vërtet të dua ta ha për mëngjes! ” ka shumë të ngjarë të inkurajojnë dikë që të përgatisë dhe të shijojë ushqime më të shëndetshme sesa thjesht t’i tregosh se çfarë duhet ose nuk duhet të hajë.

Bëhuni shoku i stërvitjes: Ofrohuni të ecni, vraponi, notoni apo të shkoni në palestër bashkë ose të stërviteni nga shtëpia. Të gjithë do përfitojnë nga kjo.

Ndani informacione të dobishme: Nëse shoku ose familjari juaj ka shprehur interes për të bërë zgjedhje të shëndetshme të jetesës, tregojuni atyre libra apo faqe në internet që lidhen me të ushqyerit shëndetshëm dhe stërvitjen. Kini kujdes që të mos i mbingarkoni dhe të mos u jepni shumë informacione konfliktuale ose konfuzuese.

Mbajini të motivuar: Angazhohuni me njerëzit e afërt në biseda rreth shëndetit mendor dhe kontrollit të peshës dhe pyetini nëse ka ndonjë gjë që mund të bëni për t’i ndihmuar. Bëhuni tifozi i tyre më i madh dhe festoni me ta, edhe sukseset më të vogla.

Ndihmoni në zvogëlimin e stresit të tyre: Stresi dhe ankthi janë shkaktarë të zakonshëm për njerëzit që hanë shumë. Shumë faktorë stresues, si papunësia, një punë që nuk iu jep kënaqësi, çështjet familjare dhe reagimi i shoqërisë ndaj peshës, janë jashtë kontrollit të një personi, të paktën në këtë moment. Edhe ngjarjet e lumtura, si marrja e një pune ose ngritja në detyrë, apo pjesëmarrja në një dasmë, mund të jenë shumë stresuese për disa njerëz, sepse ato përfshijnë ndryshime dhe madje edhe ndryshimet pozitive mund të jenë shqetësuese. Ju mund të jeni në gjendje të ndihmoni një të dashur të identifikojë stresuesit dhe të ndryshojë reagimin e tij nga ngrënia e tepërt në diçka më të shëndetshme.

Asnjë presion: Ndryshimi është i vështirë për të gjithë dhe kthimi në formë më të mirë kur jeni mbipeshë, kërkon kohë. Dhe zakonisht, një kohë të gjatë, nëse dikush do të bëjë një ndryshim të qëndrueshëm. Personi që është mjaft i duruar për të humbur peshë ngadalë dhe natyrshëm ka të ngjarë të jetë më i suksesshmi në planin afatgjatë.

Asnjë gjykim: Edhe ngacmimet dhe komentet “me shaka” ose pseudonimet që mendoni se janë të pranueshme e që nxjerrin në pah peshën e dikujt mund t’i bëjnë ata të ndihen keq për veten e tyre. Ata mund të mos e tregojnë, por fjalët do të jehojnë në kokën e tyre dhe do të shkaktojnë shqetësime.

Pa presion: Askush nuk duhet të ndjejë se duhet të përputhet me idealin e shoqërisë për një lloj trupi të hollë ose mënyrë strikte të ngrënies. Asnjëri nuk duhet të punojë brenda afateve të dikujt tjetër. Sigurohuni që në këtë rrugëtim të bëheni krahu i djathtë i dikujt, dhe të mos ushtroni presion sipas pritshmërive tuaja.

(Visited 36 times, 1 visits today)