Vetëm 30 % e fëmijëve shqiptarë i lajnë dhëmbët 1 herë në ditë

Ushqime jo të përshtatshme, higjiena jo e duhur dhe vizitat e rralla te dentisti janë disa faktorë që ndikojnë dukshëm në një shëndet jo të mirë të dhëmbëve dhe të gojës.

Për fat të keq, në Shqipëri, studimet bëjnë me dije se fëmijët e moshës shkollore kanë një kujdes oral jo të mjaftueshëm dhe nuk i lajnë dhëmbët aq herë sa është e këshillueshme.

Raporti Kombëtar për Sjelljet e Shëndetshme të Fëmijët e Moshës Shkollore i hartuar në bashkëpunim me United Nations dhe UNFPA bën me dije se në vendin tonë shumica e fëmijëve i lajnë dhëmbët më pak se njëherë në ditë, ndërkohë kur rekomandohet, që dhëmbët të lahen të paktën dy herë në ditë. Kujdesi dentar u vlerësua në mënyrë jo të drejtpërdrejtë duke pyetur fëmijët për shpeshtësinë e larjes së dhëmbëve. Raporti vëren se në përgjithësi, vetëm 1 përqind e fëmijëve nuk i lajnë dhëmbët asnjëherë.

Nga ana tjetër, më shumë se gjysma (rreth 57 përqind) e fëmijëve i lajnë dhëmbët më pak se njëherë në ditë dhe 30 përqind e bën këtë të paktën njëherë në ditë, Larja e dhëmbëve ishte më e shpeshtë te vajzat sesa te djemtë (shpeshtësia e larjes së dhëmbëve më pak se njëherë në ditë, përkatësisht 66 përqind kundrejt 48 përqind. Nga ana tjetër, të rinjtë e moshës 15 vjeç raportuan një frekuencë dukshëm më të ulët të larjes së dhëmbëve më shumë se njëherë në ditë (53 përqind) krahasuar me fëmijët e moshës 13 vjeç (60 përqind) dhe ata të moshës 11 vjeç (59 përqind). Gjithashtu, përqindja e fëmijëve që nuk i kanë larë kurrë dhëmbët ishte më e larta tek të rinjtë e moshës 15 vjeç.

Raporti iu referohet disa studimeve të fushës, ndërkohë që thekson se “Higjiena e dobët e gojës lidhet me sëmundjet kardiovaskulare, hipertensionin, diabetin dhe sindromën metabolike.” “Larja e dhëmbëve dy herë në ditë është metoda kryesore e vetëkujdesit për parandalimin e sëmundjeve më të shpeshta jo të transmetueshme, sëmundjet paradontale dhe kariesin dentar. Edhe pse në shumë vende është rritur përqindja e fëmijëve që lajnë dhëmbët, përsëri mbetet sfidë përfshirja e më shumë djemve në këtë proces.”,- theksohet në raport. Marrë nga gazeta “Si”