Vuçiqi urdhëroi ushtrinë të ndërpresë komunikimin me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, urdhëroi ushtrinë dhe kërkoi nga policia dhe shërbimi informativ serb BIA të ndërpresin çdo komunikim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Lajmin e konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, për televizionin serb Prva.

Vendimi merret në prag të vizitës së paralajmëruar të presidentit Vuçiq në Kosovë.

Më herët, agjencia serbe e lajmeve Tanjug, duke u thirrur në burime të saj, raportoi se Vuçiq, vendimin për vizitën në Kosovë do ta marrë sonte, përderisa ekzistojnë ndasi të thella në mesin e bashkëpunëtorëve të tij lidhur me këtë vizitë.

I pyetur për këtë çështje, ministri i Brendshëm serb deklaroi se për vizitën në Kosovë do të bisedohet pas kthimit të presidentit nga Brukseli, ku po merr pjesë në raundin e ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Nëse presidenti vendos të shkojë në Kosovë, atje askush nuk do ta arrestojë”, tha Stefanoviq./REL