Këngëtarja e muzikës popullore, Shkurte Fejza njëkohësisht njihet edhe si Bilbili i Kosovës, gjatë një intervista për mediat shqiptare ka folur për klasën politike në vend.
Ajo në emisionin “Rreze Dielli” është deklaruar edhe për idenë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.
“Pak më herët ka qenë një hap shumë i dhimbshëm, demarkacioni me Malin e Zi ka qenë shumë i papranushëm nga populli. Nuk e kuptoj, më vjen keq por nuk di. Kosova ka patur një fat të keq në udhëheqësi, sidomos pas luftës.
Para luftës ka qenë regjimi serb, pastaj shkoi si shkoi, mirëpo pas luftës, unë mund ta them kështu : Djemtë më të këqinj që i ka vendi janë në elitën e Kosovës. Më vjen shumë keq që po e them, por në bazë të asaj që po zhvillohen gjërat, në bazë të asaj që asnjëherë qytetari i Kosovës nuk është i kënaqur me asnjë veprim të vetëm që bëhet atje.
Sikur nuk e ndien në Kosovë, që njeriu duhet ta ndiejë vendin e vet dhe të marrë hapin , që të është dhënë ty përgjegjësia me votën e këtyre të shkretëve. Me pas një barrë në shpinë, sepse nuk mund të luash dhe të bësh çfarë të vjen ty më për së mbari, apo çfarë do të përfitosh personalisht”, ka deklaruar Fejza gjatë intervistës.