2 motra për 2 vëllezër, historia e pabesueshme si u njohën Daut dhe Lola Haradinaj (VIDEO)

Lola dhe Anita Muçaj, dy motra, u martuan me dy vëllezër: përkatësisht Ramush dhe Daut Haradinaj. Pikërisht për të folur për këtë marrëdhënie të veçantë mes tyre, si motra dhe kunata, Anita dhe Lola ishin të ftuarat e të shtunës te Rudina.

Anita e ka treguar me dhjetëra herë si u njoh me bashkëshortin e saj dhe refuzoi ta përsëriste sot, ndërsa Lola jo.

15 vjeçe, Lola pa në një poster rruge foton e Dautit, që ishte gjeneral asokohe. Ndjeu diçka, një simpati, një pëlqim, pa e njohur, pa ditur se e motra kishte të bënte me vëllain e tij.

Pak vite më vonë, pasi Anita ishte martuar me Ramushin dhe kishte mbetur shtatzënë, Dauti ishte në burg.

“Isha shtatzënë, Ramushi nuk ishte dhe i kërkova Lolës të vinte me mua që të takonim Dautin në burg. S’e njihja dhe aq mirë dhe më vinte siklet,” tregon Anita dhe Lola pranoi.

Aty u njohën për herë të parë ku shkëmbyen vetëm pak fjalë. Nga burgu, Dauti i gjeti numrin Lolës dhe e telefonoi.

“U habita, por edhe m’u bë qejfi që më telefonoi,” thotë ajo.

Për një vit, ata komunikuan rregullisht dhe i premtuan diçka njëri-tjetrit: që do të prisnin lirimin e tij për të qenë bashkë.

Një vit pas lirimit të deputetit, ata u martuan. Lola ishte vetëm 19 vjeçe.

“Mbaj mend që të nesërmen kisha një provim dhe gjatë dasmës, shqetësohesha për provimin,” tha Lola duke qeshur.

12 vite më vonë, ata janë ende lumturisht të martuar dhe janë bërë prindër të dy fëmijëve, Davidit dhe Trojës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *