Shuma marramendëse të fitimeve, por sa i pagoi estrada e Kosovës tatim shtetit në 2019.
Përveç pagesës së caktuar për të kënduar gjatë një dasme apo koncerti muzikor, ajo që i mban më aktiv dhe më në formë këngëtarët nuk ka dyshim se janë ‘bakshishet’ nëpër dasma tradicionale, që njëherësh janë edhe fitime të pallogaritshme që marrin gjatë tërë vitit, posaqërisht në sezonën e verës.
Kështu, fitimet e artistëve shqiptarë për performancën e tyre gjatë vitit janë vlera marramendëse.
Për vetëm një natë, apo më saktësisht për disa orë fitojnë me mijëra euro, gjë që bën të mbajnë nga dy apo edhe më shumë koncerte brenda një dite.
Megjithatë, shpeshherë është diskutuar që këngëtarët po paguhen mjaft shumë për disa orë, siç u raportua afro 4,000 e deri në 5,000 euro.
Madje, edhe këtë vit menaxherët e estradës tonë publikuan disa shifra që kanë shkuar deri në 10,000 euro apo 12,000 euro, natyrisht për një këngëtar/e të caktuar.
Ndonëse shifrat rrallë e thuajse fare janë bërë publike në formë zyrtare, kjo gjë vazhdon të dëshmohet më së miri me jetën luksoze që bëjnë, përfshirë edhe klipet e pushimet e tyre që tashmë ekspozohen më së shumti përmes rrjeteve sociale.
Këngëtarët si Tayna, Ledri Vula Ghetto Geasy, Dafina Zeqiri, Nora Istrefi, Mozzik, Meda e shumë të tjerë, janë ndër emrat që pëlqehen më shumë nga publiku për të cilët thuhet se paguhen mjaft mirë.
Lidhur me këtë, në muajin nëntor ish-menaxheri estradës shqiptare, Drin Zatriqi, kërkoi nga Qeveria e re që të rregullohet edhe tatimi i estradës, duke publikuar edhe çmimet për ca artistë që përfitojnë nga koncertet.
Çmimet për disa artistë për një koncert:
Tayna 8.000 – 12.000 euro
Ledri Vula 8.000- 10.000 euro
Capital T 6.000 – 8.000 euro
Ghetto Geasy 6.000 – 8.000 euro
Butrint Imeri – 6.000 – 7.000 euro
Dhurata Dora 6.000-7.000 euro
Noizy 6.000 – 8.000 euro
Dafina Zeqiri 4.000 – 6.000 euro
Meda: 6.000 – 7.000 euro
Labinot Tahiri – 5.000 euro
Sinan Vllasaliu – 5.000 euro
Ramadan Krasniqi – Dani – 5.000 euro
Fero 3.000 – 4.000 euro
Rina Balaj 3.000 – 4.000 euro
Gjiko 3.000 – 4.000 euro
Sa i pagoi estrada e Kosovës tatim shtetit në vitin 2019?
Nga Administrata Tatimore e Kosovës për Telegrafin thonë se për shkak të sigurimit të një niveli më të lartë të përmbushjes së obligimeve tatimore, ata janë të fokusuar në tri çështje.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi – Sefa përmend edhe përmbushjen vullnetare të tatimeve si dhe trajtimin e barabartë të atyre që i paguajnë ato.
“Administrata Tatimore e Kosovës, me qëllim që të siguroj një nivel të lartë të përmbushjes tatimore, njësoj për të gjithë tatimpaguesit, është e fokusuar në tri çështjet kryesore: përmbushjen vullnetare, ofrimin e shërbimeve profesionale dhe trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve”, thekson Bytyqi – Sefa për Telegrafin.
Ajo tregon edhe mënyrën se si ekzekutohet plani operativ i ATK-së, në atë formë që të sigurohen dëshmi për të hyrat e këngëtarëve.
Pas sigurimit të dëshmive, ATK-ja realizon vlerësimin në terren, nga ku këngëtarët dhe kategoritë tjera ngarkohen edhe me tatime shtesë, mirëpo edhe më ndëshkime të parapara me ligjet në fuqi, për ata që nuk i kryejnë obligimet e veta tatimore.
“ATK-ja, për çdo vit vepron sipas Planeve Operative, të cilat ndërmerren nëpër terren në mënyrë që të sigurojë dëshmi të ndryshme në lidhje me të hyrat që realizojnë këngëtarët. Bazuar në dëshmitë që krijohen gjatë këtyre periudhave si dhe bazuar në faktet e tjera që gjenden në mënyra të ndryshme, ATK-ja, e bën vlerësimin edhe të këngëtarëve, sikurse edhe të kategorive të tjera dhe i ngarkon me tatim shtesë, duke vendosur edhe ndëshkimet e parapara me legjislacion, nëse ata nuk kanë paguar shumën e nevojshme të tatimit duke u bazuar në të ardhurat e tyre që realizojnë”, thekson tutje zëdhënësja e ATK-së.
E megjithëse këngëtarët e Kosovës i nënshtrohen tatimit, numri i saktë i atyre që i paguajnë detyrimet ndaj shtetit nuk dihet.
Kjo ndodh për shkak se këngëtarët mund të jenë të regjistruar në forma të ndryshme në ATK, qoftë si individ, person fizik apo juridik.
“Estrada e Kosovës i nënshtrohet Tatimit, mirëpo numri i saktë i këngëtarëve, të cilët paguajnë obligimet e tyre, mund të jetë i ndryshëm pasi që këngëtarët mund të jenë të regjistruar në forma të ndryshme në ATK, pra mund të jenë të regjistruar si individ, person fizik apo juridik, etj”, thotë Bytyqi – Sefa.
Viti 2019 mund të konsiderohet si vit i suksesshëm për ATK-në sa i përket mbledhjes së tatimeve nga këngëtarët.
Kjo pasi që për dallim nga viti i kaluar, në 2019-tën janë mbledhur mbi 130 mijë euro më shumë tatime.
Rrjedhimisht, në vitin 2019 janë grumbulluar gjithsej 754 mijë e 546 euro nga këngëtarët, pa përfshirë kontributet.
Ndërkaq, në vitin 2018, ATK kishte mbledhur 613 mijë e 754 euro nga kjo kategori.
“Vlera e pagesës se tatimeve qe këngëtaret e kryejnë, vitin e kaluar kemi pasur 613,754 mijë euro, ndërsa këtë viti deri në muajin nëntor 2019 kemi 754,546 mijë euro (në këtë vlerë nuk janë të përfshira kontributet)”, thuhet në përgjigjen ATK-së për Telegrafi.com.
Nga ATK sqarojnë edhe për atë se çfarë ndodhë nëse këngëtarët nuk kanë vullnet për t’i kryer obligimet e tyre.
Në një situatë të tillë, ata i nënshtrohen procedurave të mbledhjeve të detyrueshme nga ATK, e kjo përfshinë bllokimin e llogarive, tërheqjen e mjeteve nga llogaritë e tyre bankare, si dhe deri në masën tjetër më të rëndë që është ndalesa për largim nga Kosova dhe konfiskimi i pasurisë.
“Të gjithë tatimpaguesit borxhlinj ndaj ATK-së, përfshirë edhe këngëtarët, sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, nëse nuk kanë vullnet që të paguajnë borxhet e tyre, do të ju nënshtrohen procedurave të Mbledhjes së Detyrueshme nga ATK, që përfshijnë bllokime të llogarive, tërheqje të mjeteve nga llogaritë e tyre bankare, ndalesa për largim nga Kosova e deri në Konfiskim të pasurive të ndryshme. Pra kemi pasur rast kur kemi marr vendimi për bllokime të llogarive”, sqaron Valentina Bytyqi – Sefa.
Mirëpo, si është e rregulluar çështja e këngëtarëve që jetojnë dhe veprojnë në shtetet e jashtme, ndërkaq kryesisht gjatë sezonit të verës kanë përfitime edhe në Kosovë?
Nga ATK bëjnë të ditur se institucioni i tyre ka në fuqi 15 marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë, duke përfshirë: Shqipërinë, Austrinë, Belgjikën, Britaninë e Madhe, Emiratet e Bashkuara Arabe, Luksemburgun, Holandën, Gjermaninë, Hungarinë, Kroacinë, Maltën, Maqedoninë, Slloveninë, Turqinë dhe Zvicrën.
Marrëveshja në fjalë nënkupton marrëveshje mes dy shteteve e që ka për qëllim eliminim e tatimit të dyfishtë.
“Shembull, në rastet kur një “artist” ka paguar tatim në Kosove ndërsa është rezident i shtetit me te cilin kem marrëveshje, atëherë ai për këtë pagese te tatimeve e dëshmon me Certifikate te lëshuar punëdhënësi që tregon vlerën e paguar të tatimeve në Kosovë. Certifikata e Rezidencës (lëshuar nga ATK) ka për qellim dëshminë se ky person apo biznes paguan tatimet për të gjitha ardhurat e krijuara në shtetin e rezidencës. Në këtë mënyrë autoriteti tatimor i huaj ku ai ka realizuar të ardhura do ta bej aplikimin e METD”, thotë në fund Bytyqi – Sefa për Telegrafin.
Ndryshe, duke theksuar rolin e ATK-së në gjithë këtë çështje, duhet thënë se ATK-ja është përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të “Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat”, si dhe çdo legjislacioni tjetër të zbatueshëm në Kosovë e që i ngarkon detyrën të administrojë çdo lloj tatimi.
Si detyrë e ATK-së është të mbledhë gjatë kohës të hyrat më të larta që janë praktikë përbrenda ligjit duke pas parasysh: Burimet në dispozicion për ATK-në, rëndësinë e ngritjes së përmbushjes, veçanërisht përmbushjes vullnetare të legjislacionit tatimor të Kosovës nga të gjithë tatimpaguesit si dhe shpenzimet e përmbushjes të dala nga tatimpaguesit.