ME KËTO SYZE MUND TË “SHIHNI” TEMPERATURËN E NJERËZVE

Një kompani kineze, e cila deri tani ishte marrë më teknologjinë e realitetit të shtuar dhe prodhimin e aplikacioneve për lojëra, ka gjetur një mënyrë të re për të bërë biznes në mes të pandemisë.

Për të ndihmuar në luftën kundër Covid-19, “Rokid Inc.” ka ndërtuar dhe prodhuar një palë syze që ndihmojnë në skanimin e personave për simptoma. Zv.presidenti i kompanisë, Xiang wenjie, thotë se syzet T1, të ndërtuara për vetëm dy javë, janë shumë të kërkuara. Deri tani janë shitur 1000 copë tek autoritetet shtetërore, por edhe nëpër shkolla. “T1 mund të masë temperaturën në distancë, çka është një ndihmesë e madhe”, tha Xiang për Reuters.

Të pajisura me sensorë me rreze infra të kuqe dhe kamera, syzet lejojnë personin që i mban, të shohë temperaturën e njerëzve. Kompania thotë se po punon gjithashtu për një model të ri, me të cilin mund të matet temperatura e disa njerëzve njëkohësisht.