Nëse tashmë keni blerë sasi të mëdha mishi për rezervë, është e nevojshme të dini si ta vendosni drejt atë mish në frigorifer me ngrirje të thellë në mënyrë që të jetë i sigurt më gjatë për konsumim
Temperatura ideale në frigorifer me ngrirje të thellë është minus 18 gradë Celsius, sepse kështu pengon rritjen e mikroorganizmave dhe çaktivizohen të gjitha mikrobet siç janë bakteret, tharmi dhe myku, i cili gjendet në ushqim.
Edhe pse ekspertët thonë që është e sigurt që mishi të jetë i ngrirë në paketimin origjinal, për ngrirje më shumë se dy muaj rekomandojnë mbështjelljen e mishit në folie plastike apo ndarje në qese plastike për ngrirje, por thjesht mundeni ta lini në qese plastike bashkë me paketimin origjinal, transmeton Telegrafi.
Sipas Agjencisë Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, FDA, pulat dhe gjelat e detit të pacopëzuar në frigorifer me ngrirje të thellë mund të mbahen deri në një vit.
Nëse vendosni në frigorifer me ngrirje të thellë copa, si p.sh. gjoks pule, kofshë dhe krahë, do të duhej t’i konsumoni në afatin prej nëntë muajsh.
Të brendshmet megjithatë nuk do të duhej t’i ruani më shumë se tre apo katër muaj.
Kur është fjala për mishin e freskët, si p.sh. mishi i gjedhit, i viçit dhe i qengjit, mund të qëndrojnë edhe për disa muaj në frigorifer, varësisht nga lloji i mishit.
FDA-ja rekomandon që copat e freskëta në frigorifer ruhen prej gjashtë deri në nëntë muaj, ndërkaq mishi me brinjë mund të qëndrojë diç më pak, nga katër deri në gjashtë muaj.