Kalendar i lashtë shqiptarë unik në botë, e në përdorim vetëm nga shqiptarë

Sistemet kalendarike të popullit shqiptar Populli shqiptar ka patur që në kohëra të lashta një kalendar të vetin, i cili është kalendar unik në botë përkah veçoritë e tij, dhe ka qenë në përdorim vetëm nga shqiptarët. Më pas gjatë periudhave të ndryshme historike, janë adoptuar dhe kalendarë tjerë si grekë e romakë, që kanë arritur të stabilizohen si variante ‘shqiptare’ të atyre kalendarëve.

Pikërisht tani do të marrim përsipër, që përveç rregullimit të disa problemeve deri më tani të patrajtuara, gjithashtu të bëjmë një paraqitje sa më të qartë të këtyre kalendarëve, veçanërisht të kalendarit të lashtë shqiptar. Me një fjalë kemi qëllimin të përditësojmë të dhënat dhe njohuritë tona rreth kësaj çështje.

Kalendari i lashtë shqiptar
Kalendari i lashtë, siç po e quajmë këtu, ka qenë një kalendar origjinal, të cilin populli shqiptar e ka praktikuar gjer vonë, e madje mbahet mend dhe sot. I vetmi deri më tani ka qenë studiuesi Rrok Zojzi që mori shënime nga populli për këtë kalendar . Duke qenë se Zojzi e ka publikuar njëherë, ne nuk do të ndalemi gjatë në përsëritjen e të dhënave të tij. Në këtë punim fillimisht do shqyrtojmë vendosjen e datave dhe më pas disa çështje tjera. Një kalendar i tillë tradicional, mijëravjeçar, ka vlerë të madhe nëse përgatitet në formën e tij burimore për përdorim, sepse si i tillë do të mund të ishte në dispozicionin e popullit, si një vepër e artit popullor shqiptar, madje duke qenë i njëjtë në tërë Shqipërinë do të ishte një nga elementet unifikuese të kulturës shqiptare.

Kalendari në formën siç na e jep Rrok Zojzi është si vijon: Viti është baraz me 365 ditë, të ndara kësisoj: 3 ditë janë festat për fillimin e vitit (“kryet e motmotit”), 180 ditë janë të verës, 2 ditë janë festat e mesit të vitit dhe 180 ditë janë të dimrit. Secila nga dy gjysmat e vitit (stinë) ndahet në 4 pjesë me nga 45 ditë secila, të cilët Zojzi konvencionalisht i quan muaj.

Ndërsa të dhënat që Zojzi i merr nga terreni janë të sakta, përllogaritjet e tij përkundrazi e çojnë atë në gabime gjatë përpilimit të kalendarit. Ai na jep gabim datat e festave dhe muajve. Ai fillon me Mesdimrin, i cili është më 5 shkurt, por të cilin Zojzi e vendos 45 ditë (një ‘muaj’) më herët, pra më 22 dhjetor. Ky gabim më pas shkon në mënyrë zingjirore me të gjitha festat dhe muajt tjerë. Festën e kryevitit apo Kryet e Motmotit që njihet edhe si Shëngjergj e vendos në ekuinoksin pranveror më 21 mars, gjë që nuk ndodh askund në asnjë krahinë shqiptare. Shëngjergji gjithmonë ka qenë më 6 maj, dhe vetëm kisha katolike në emër të reformës gregoriane e pat vendosur më 23 prill.

Rrjedhimisht, vendosja e Shëngjergjit më 21 mars, duket zhvendosje shumë e madhe për të mos thënë e tepërt. Edhe tek Mark Tirta i cili ka shkruajtur gjerësisht për festat popullore, Dita e Pranverës dhe Shëngjergji dalin si dy festa të ndryshme. Pastaj me atë radhitje gabimet vazhdojnë: Shmitri apo Shmarti si fillim i dimrit vendoset më 23 shtator, por Shmitri në të vërtetë është shumë më vonë, afro 45 ditë më vonë, dhe i bie zakonisht kah fillimi i nëntorit; festa e Kerstovit apo e Shënkollit, nga ana e Rrok Zojzit vendoset më 5 nëntor, kur në të vërtetë kjo festë gjithkund tek shqiptarët kremtohet më 6 dhjetor; Dita e pranverës vendoset më 5 shkurt, kur është acari më i madh. Të njëjtën zhvendosje e pësojnë edhe muajt e vjetër 45-ditësh, pasi secili prej tyre fillon me një festë ‘të vetën’.