Regjisori i ndjerë Gjergj Xhuvani që ndërroi jetë dy ditë më parë e kishte mbajtur të fshehtë gjendjen shëndetësore nga familja e tij. Ai ishte nisur vërtet drejt shtetit fqinj për të xhiruar filmin e ri ‘Liqeni im’, një bashkëproduksion italiano-shqiptar. Xhuvani qëndroi në Itali edhe dy ditë më tepër pas përfundimit të xhirimeve të filmit.
Regjisorin kishte filluar ta shqetësonte një gungë në këmbë dhe nuk i kishte treguar asgjë familjes së tij. Gunga nuk e lejonte të mbante protezën që Gjergj Xhuvani kishte prej kohësh, pasi regjisorit i mungonte një këmbë.
Familaj e tij është njoftuar ndërkohë që ishin nisur nga pushimet në Sarandë drejt Tiranës. Ata ishin përgatitur për të pritur familjarin e tyre në aeroport, që duhet të mbërrinte rreth orës 22:30 të mbrëmjes së sotme. Por fatkeqësisht në vend të Gjergjit familja mori lajmin e kobshëm.