Rrëfimi i të riut nga Kosova që do ta luajë rolin e Ibrahimovic në filmin “I Am Zlatan”

Suksesi i shqiptarëve në botë është bërë i padiskutueshëm.

Art, politikë e sport – janë fushat me të cilat kanë korrë e kanë arritur të pushtojnë tregun ndërkombëtar.

I tillë është edhe i riu nga Mitrovica, Granit Rushiti, i përzgjedhur për të kryer një mision të veçantë – portretizimin e futbollistit Zlatan Ibrahimovic, në filmin autobiografik “I Am Zlatan” në nder të jetës dhe veprimtarisë së tij, premiera e të cilit do të jetë së shpejti.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Rushiti tregon më shumë detaje se si erdhi deri tek bashkëpunimi i tyre, takimin me sulmuesin veteran e gjithashtu edhe për ndjesitë e të qenit Ibrahimovic.

Në fund të muajit qershor është publikuar ‘trailer’- i i filmit mbi jetën e Zlatan Ibrahimovic, “I am Zlatan”, dhe aty u kuptua se protagonistët kryesorë janë shqiptarë, si erdhi deri tek bashkëpunimi?

Unë kam qenë në Portugali kur më kanë telefonuar, kur më shënuan do të thotë. Kam qenë duke ushtruar futboll, më pas ia kam kthyer mesazhin duke i thënë do shohim, thash hajt të provoj të shohim se çfarë është. Kam shkuar për një provë, e bëra një herë. Në fillim nuk e kam marrë seriozisht fare, kam thënë se jam duke u marrë me futboll nuk mendoj të bëhem aktor. Më thirrën sërish, të tretën herë më thanë të takohem me regjisorin, një herë i thashë që nuk do vijë më pas pësova një lëndim në gju dhe atë momen thashë se nuk kam çfarë të bëj e më mirë të merrem, ndoshta mundem të bëj në aktrim.

Si iu është dukur ftesa për portretizimin e një futbollisti kaq të madh, e menduat se do të ishte vështirë për të bërë një gjë të tillë?

Ka qenë e vështirë pasi nuk kam menduar për aktrim asnjëherë, pas një muaji e kuptova se po bëj mirë, meqë mësova shumë gjëra. Kam mësuar edhe zërin e Zlatan se si flet ai. Pas gjithë kësaj, më është dukur më lehtë.

Ju me profesion jeni futbollist, e kishit të lehtë debutimin si aktor duke qenë se kjo ishte hera e parë që do merrje pjesë në një film?

Ka qenë e vështirë, por jo edhe sa e kam menduar. Ndoshta e kam pasur një talent që nuk e kam ditur, por është krejt tjetër jetë si punojnë ata dhe si janë futbollistët, por e kam mësuar shumë shpejt. Është më e lehtë tani.

Çfarë përmban në tërësi filmi, do të veçoje ndonjë pjesë në të cilën luani?

Tregon shumë për jetën e tij, jo vetëm për futboll, çfarë golash ka bërë në fushë, por edhe jashtë futbollit, çfarë ka bërë në shtëpi, jashtë kur ka qenë me shokë. Ka shumë pjesë që janë jashtë futbollit. Mua më kanë pëlqyer më shumë skenat që ishin jashtë futbollit. Në futboll e kam pasur gjurin e vrarë, madje gjatë xhirimeve në Amsterdam nuk e kam ditur se si kam përfunduar, shumë vështira e kisha. Në aktrim më dukej më interesant. Xhirimet u realizuan ne Amsterdam dhe Malmo.

Ibrahimovic është edhe lojtari juaj i preferuar, apo vetëm në rol?

Më pëlqen shumë. Kur kam qenë i vogël gjithmonë kam menduar t’i bëj gjërat, kam dashur t’i bëj si ai. Madje, më ka thënë babai edhe nganjëherë e mbyllja veten në dhomë vetëm ia shikoja videot si bënte ai, që t’i bëja edhe unë të njëjtat gjëra. E dua shumë Zlatanin. Edhe është i madh këtu në Malmo, se ai është i pari që ka ardhur nga një tjetër shtet dhe është bërë më i suksesshmi nga të gjithë dhe ua ka hap dyert të gjithëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *